
Teuta është shpallur fituese e Kupës së Shqipërisë U-17, pasi triumfoi ndaj Tiranës me rezultatin 4-3 në finalen e zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit”.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Markelian Xhai dhe zëvendëstrajneri Julian Fezga arriti një fitore emocionuese, duke e kurorëzuar me sukses sezonin.
Finalja dhuroi spektakël dhe emocione deri në vërshëllimën e fundit, me shtatë gola të shënuar dhe përmbysje rezultati.

Tirana kaloi e para në avantazh, falë dy golave të shpejtë të realizuar nga Maci dhe Marinaj, ndërsa Teuta ngushtoi diferencën në fundin e pjesës së parë me Gripshin.
Në fraksionin e dytë, Maci realizoi sërish, duke e çuar rezultatin në 1-3 për bardheblutë. Megjithatë, reagimi i futbollistëve të Teutës U-17 ishte i jashtëzakonshëm, pasi përmbysën gjithçka në minutat në vijim.
Fillimisht shënoi Gjuzi për durrsakët, më pas Godime barazoi shifrat, ndërsa sërish Gjuzi gjeti rrugën e rrjetës për të kompletuar përmbysjen e madhe dhe për t’i dhënë Teutës fitoren 4-3.

Në përfundim të takimit u zhvillua ceremonia e organizuar nga FSHF, ku trofeu dhe medaljet iu dorëzuan skuadrës fituese nga legjenda e futbollit shqiptar, Sulejman Demollari. /kfteuta.com/


