Edlir Tetova

Edlir Tetova
Trajner - KF TEUTA
Biografia:

Edlir Tetova, i lindur më 14 prill 1983, është një emër i njohur në futbollin shqiptar, si ish-futbollist dhe trajner. Me një karrierë të gjatë në fushë dhe suksese të mëdha në pankinë, Tetova ka shkruar historinë si trajneri më i suksesshëm në historinë e Egnatias.

Karriera si futbollist

Edlir Tetova e zhvilloi karrierën e tij në futbollin shqiptar, duke u aktivizuar në Kategorinë Superiore me disa skuadra dhe duke veshur gjithashtu fanellën e kombëtareve të moshave, deri te përfaqësuesja U21. 

Te Teuta, klubi ku hodhi hapat e parë në futbollin profesionist, ai kaloi vitet më të rëndësishme të karrierës së tij si lojtar dhe fitoi Kupën e Shqipërisë. Gjatë rrugëtimit të tij sportiv, Tetova u aktivizua edhe me skuadra si Elbasani, Besa, Kamza dhe Partizani, përpara se t’i jepte fund karrierës si futbollist.

Eksperienca si trajner

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Edlir Tetova iu përkushtua trajningut. Fillimisht punoi si zv.trajner në disa skuadra, përpara se t’i besohej drejtimi i Egnatias. Në sezonin 2022–23, ai udhëhoqi klubin rrogozhinas drejt triumfit në Kupën e Shqipërisë, ndërsa një vit më pas shkroi historinë duke fituar titullin e parë kampion të Egnatias.

Sezoni 2023–24 ishte historik për Tetovën, pasi ai kompletoi dopietën, duke fituar kampionatin dhe Kupën e Shqipërisë, ndërsa në vitin 2024 shtoi në koleksion edhe Superkupën e Shqipërisë. Sukseset vazhduan edhe në sezonin 2024–25, kur Tetova e shpalli sërish Egnatian kampione të vendit.

Sot, ai rikthehet te Teuta jo vetëm si një ish-lojtar, por si një trajner me përvojë, vizion dhe mision të qartë, të ringrejë klubin në majat e futbollit shqiptar dhe të zhvillojë talente të reja me standarde bashkëkohore europiane.